Dy ditë më parë më 28 Mars, Federata Italiane e Futbollit, në mbledhjen e komitetit ekzekutiv të saj ka marrë një vendim të rëndësishëm mbi ndryshimin e rregullave që lidhen me regjistrimin e futbollistëve ekstrakomunitarë për sezonin 2024-2025.

Ky vendim prek drejtpërdrejtë futbollistët me pasaportë shqiptare. Italianët kanë vendosur që duke filluar nga sezoni i ardhshëm të gjithë këta lojtarë të kenë të njëjtat të drejta për t’u federuar si të ishin italianë dhe jo të huaj.

Vendimi i federatës italiane hap tregun e futbollit në vendin përtej Adriatikut për lojtarët që rriten në klubet shqiptare. Ka qenë këmbëngulja e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, në diskutime të vazhdueshme me federatën italiane për të arritur një marrëveshje në lidhje me këtë çështje.

Ky vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt në aktivizimin e talenteve shqiptarë për të konkurruar në mënyrë të barabartë në një nga kampionatet më të rëndësishme në botë.

Ky është një moment historik për futbollin shqiptar që inkurajon të gjithë lojtarët dhe klubet që të ëndërrojnë të bëhen pjesë e një prej kampionateve më të ndjekur në Shqipëri.

Tv Klan