Lëvizja Vetëvendosje ka sulmuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Skëndër Hyseni, duke spërkatur me bojë automjetin e tij.

Ata kanë thënë se këtë veprim e bënë që ministri Hyseni t’i ndalë menjëherë depërtimet nga Kosova, citon Klan Kosova.

Reagimi i plotë i “Vetëvendosjes”:

“Urdhrat që ndalojnë lirinë e lëvizjes, hyrjen dhe qëndrimin në Kosovë të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, janë urdhra me prapavijë politike dhe të padrejtë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke urdhëruar dëbimin nga Kosova për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE të cilët nuk kanë shkelur asnjë ligj po bën gabime të rënda politike.

Policia dhe institucionet e rendit të drejtuara prej tij po shkelin të drejtat e liritë e njeriut, madje edhe ligjet e Kosovës duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes me origjinë nga Shqipëria.

Për këto arsye, sot ne kemi gjuajtur me ngjyrë veturën e tij gjatë një aksioni simbolik nga aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndalimin e hyrjes në Kosovë për Dejona Mihalin, e më herët deportimet e aktivistëve Boiken Abazi, Arbër Zaimi, Dejona Mihali dhe Bashkim Rodoni, kjo qeveri po i bën në kohën kur strukturat kriminale të Serbisë enden të lirë nëpër Kosovë, madje me përcjellje të policisë.

Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin e Boiken Abazin, si dhe ndaljen e persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë. Përndryshe aksionet tona nuk do të ndalen me kaq!”

/tvklan.al