Një aksident tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në Selanik të Greqisë. Tre persona kanë vdekur në qendër të qytetit në një aksident ku u përfshinë dy motorë dhe një makinë.

Viktimat janë një 22-vjeçar grek, një 28-vjeçar shqiptar dhe një 50-vjeçar shqiptar. Dy shqiptarët janë at e bir, ndërsa e plagosur ka mbetur edhe një vajzë 18-vjeçare greke. Emrat e viktimave nuk janë bërë me dije.

Mediat vendase shkruajnë se at e bir shqiptar udhëtonin me një motor të fuqishëm kubik i madh, ndërsa me motorin e dytë lëviznin 22-vjeçari grek dhe 18-vjeçarja e cila është në spital. Dy mjetet motorike u përplasën me një makinë që drejtohej nga një 67-vjeçar shtetas gjerman. Deri tani dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë makina e drejtuar nga gjermani.

Adoleshentja 18-vjeçare i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë me dëmtime në kokë e gjymtyrë, por mjekët thonë se nuk i janë prekur organet vitale. Ndërkohë, edhe 67-vjeçari gjerman ndodhet në spital në gjendje shoku, por jashtë rrezikut. Ai do të merret në pyetje nga policia në lidhje me aksidentin e rëndë.

/tvklan.al