Katër vite më parë ai mori vendimin për t’u kthyer në vegjetarian. Një zgjedhje kjo e bërë me bindje të plotë dhe ndër më të mirat në jetë siç e quan Arbër Çepani.

Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Kush vjen për drekë”, në Tv Klan nga ku tregoi se si ka ndryshuar jeta e tij dhe çfarë e bëri atë të marrë vendimin për tu bërë vegjetarian. 

Moderatori tha se kanë qenë tre ndodhi që ndikuan që ai të merrte këtë vendim, ndërkohë që shton se sot ndihet shumë mirë për zgjedhjen që ka bërë.

“Unë kam kaluar vitin e katërt që jam vegjetarian dhe jam i konsoliduar. Unë kam qenë goxha mishngrënës, nuk kam qenë nga këta që se haja mishin dhe kanë qenë në fakt 3 ndodhi që ndikuan që unë të bëhesha vegjetarian.

Ndodhia e parë ka qenë kur kam marrë pjesë në festën e Baba Tomorrit, isha 17 vjeç. Aty u gjenda para një lloj shoku ku u therën brenda një nate diku tek 4-5 mijë qingja. Unë asistova, mora pjesë në një nga ato kurbanet sepse ashtu ishte tradita, gjithsesi nuk ndryshova aty direkt, por aty ishte goditja e parë.

E dyta ishte marrja e Kodit. Kodi është pjesëtar i familjes është qeni im. Aty më ndryshoi koncepti për kafshët. Fillova të bëhesha më shumë sensibël.

E treta dhe jo për nga rëndësia është se sa më shumë lexoja mësoja se ata që janë vegjetarianë janë më të shëndetshëm se sa ata që konsumojnë mishin.

Kjo është ndër zgjedhjet më të mira që kam bërë në jetë dhe nuk jam penduar aspak”,

tha Çepani.

/tvklan.al