Presidenti rus Vladimir Putin tha se nuk beson presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump u takua me prostitutat në Rusi, duke i quajtur akuzat pjesë e një fushate për të minuar rezultatin e zgjedhjeve.

Akuzat e pabaza të bëra kundër Trump janë “trillime të dukshme”, u ka thënë Putin gazetarëve në Kremlin të martën. “Njerëzit shpifin kundër presidentit të zgjedhur të SHBA-së dhe këto sajesa i përdorin në një betejë politike. Këta persona janë më keq se prostitutat, sepse ata nuk kanë kufij moralë,” tha ai.

Putin tha se Trump nuk ishte politikan, kur vizitoi Moskën dikur dhe zyrtarët rusë nuk ishin në dijeni se ai ka patur ndonjë ambicie politike. “Është absurditet i plotë, të besosh se shërbimet ruse të sigurisë “ndjekin pas çdo miliarder amerikan,” tha ai.

Kremlini ka mohuar se zotëron ndonjë material komprometues për Trump pasi zyrtarët e inteligjencës së SHBA informuan presidentin e zgjedhur në lidhje me raportet e pabazuara se Rusia kishte përpiluar informacion personal potencialisht të dëmshëm mbi të.

Trump në një konferencë për shtyp më 11 janar, sulmoi disa organizata të medias për botimin e një materiali të paverifikuar për mbledhjen e pretenduar të inteligjencës ruse për të dhe demokraten Hillary Clinton.

Trump tha se ishte “e turpshme” që agjencitë e inteligjencës kishin lejuar të dilte ky informacion “i rreme” jashtë, krahasuar me veprimet e Gjermanisë naziste.

Trump është “një njeri i rritur dhe së dyti është dikush që ka qenë i përfshirë në konkurset e bukurisë për shumë vite dhe ka takuar gratë më të bukura në botë”, ka thënë Putin. “Më duket e vështirë të besohet se ka shkuar në një hotel për t’u takuar me këto vajza të pamoralshme edhe pse padyshim janë më të mirat në botë.” /tvklan.al