Emigrant

Tragjeditë e shkaktuara nga dyndjet e refugjatëve nga vendet afrikane, nuk ndalen në Detin Mesdhe. 17 trupa të pajetë u gjetën në 9 varka e 13 gomone të tejmbushura me refugjatë, gjatë operacioneve të shpëtimit të kryera nga anijet ushtarake italiane.

217 emigrantë janë shpëtuar vetëm prej marinës italiane në kanalin e Siçilisë. Ndërsa numri i përgjithshëm i refugajtëve të shpëtuar gjatë 24 orëve të fundit në Mesdhe, është mbi 4200. Operacioneve të shpëtimit u janë bashkangjitur edhe ekipet gjermane, belge e ato irlandeze, bazuar në planin europian për të menaxhuar dyndjen e refugjatëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Operacionet e shpëtimit të nisura të premten, që ende nuk kanë përfunduar, janë zhvilluar kryesisht në afërsi të brigjeve libiane, nga ku nisen pjesa më e madhe varkave me refugjatë.

Sipas UNHCR-së, në 4 muajt e parë të këtij viti, mbi 40 mijë refugjatë kanë kaluar Mesdheun për të mbërritur në brigjet jugore europiane. Kalimi është shoqëruar edhe me tragjedi të shumta detare.

Më e rënda ishte ajo e prillit, ku 800 refugjatë të nisur nga Libia, humbën jetën pas fundosjes së anijes me të cilën lundronin drejt Siçilisë. Dyndja i atribuohet destabilitetit në Libi, që shfrytëzohet nga trafikantët e qenieve njerëzore, por edhe motit relativisht të qëndrueshëm.

Tv Klan