Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Personazhe VIP janë përballur dje në një ndeshje volejbolli, në mjediset e Mak Albania në Durrës. Loja është zhvilluar mes femrave dhe meshkujve dhe është drejtuar nga arbitri i njohur Kreshnik Tartari.

Sonila Meço, Genta Ramadani, Mariza Ikonomi, Mariana Kondi, kanë zhytur dhe kanë pritur topa të fortë, nga gazetari Blendi Fevziu, Erion Veliaj, Mustafa Nano dhe emra të tjerë të njohur. Me gjithë përpjekjet e tyre heroike, për të treguar se janë më të zonjat se meshkujt, nuk ia kanë arritur qëllimit dhe kësaj here potenca mashkullore ka triumfuar, duke korrur fitoren e dëshiruar.

Kjo ndeshje është bërë e mundur nga shoqata në dobi të gruas shqiptare, ku një nga organizatorët e evenimentit ishte ish-Miss Shqipëria Genta Ramadani, si dhe kanë kontribuuar lëvizja Mjaft dhe bashkia e qytetit Durrës./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani