Fondi i pasur i albanologut të njohur francez Pierre Cabanes, vjen në Shqipëri, ashtu siç ai shprehu dëshirën në të gjallë të tij. Biblioteka Kombëtare, i dedikon një hapësirë të veçantë fondit të vyer prej 1480 veprash studimore që i kushtohen historisë dhe arkeologjinë së Shqipërisë, e cila do të jetë në dispozicion të studentëve dhe veçanërisht historianëve e kërkuesve shkencorë. Në prezencën e ambasadores franceze, u inaugurua hapësira që mban emrin e studiuesit të shquar.

“2024 shënon 100 vjetorin e kërkimeve të para në Apoloni dhe jam e lumtur që në këtë përvjetor bëhet edhe hapja e kësaj hapësire për Pierre Cabanes. Ai është një albanolog i shquar ndërkombëtar që i ka kushtuar një energji të madhe botës albanologjike. Franca është e lumtur që financon për gërmimet arkeologjike në Shqipëri që nxjerrin në pah vlerat e bukura të këtij vendi”, tha ambasadorja franceze Catherine Suard.

Pierre Cabanes u nda nga jeta vitin e shkuar, ndërsa do të kujtohet për studimet e tij mbi antikitetin, për Epirin Antik dhe Ilirinë e Jugut. Kjo ngjarje vjen në Javën Kulturorë Franceze.

Tv Klan