trupat e marinareve

Këto janë pamjet që tregojnë mbërritjen e trupave të dy marinarëve shqiptarë që humbën jetën teksa po punonin në rimorkiatorin privat “Iliria”, në përpjekje për të tërhequr tragetin “Norman Atlantic” pas evakumit të të gjithë personave në bord.

Petrit Jahaj, 59 vjeç dhe Edmond Iliaj, 57 vjeç, mbetën të dëmtuar nga shkëputja e kavos që mbante të lidhur rimorkiatorin me tragetin “Norman Atlantic”.

Mësohet se njëri prej tyre humbi jetën në vend, ndërsa tjetri gjeti vdekjen një orë më pas.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht se ata nuk ishin pjesë e Forcave të Armatosura dhe të forcës detare të ushtrisë, por konfirmoi se ekuipazhi i anijes “Iliria” ishte pjesë e operacionit të kërkim shpëtimit.

Zëdhënësja e këtij dikasteri tha se rimorkiatori ishte kontraktuar nga vetë shoqëria që ka në pronësi tragetin “Norman Atlantic”.

Prokurori i Barit, Giuseppe Volpe, që po kryeson hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të tragjedisë, tha në një konferencë për shtyp se nuk është ende e qartë nëse rimorkiatori Iliria ishte angazhuar nga autoritetet shqiptare apo nga kompania.

Giuseppe Volpe / Prokuror i Barit: “Nuk e kemi të qartë nëse 2 rimorkiatorët shqiptarë që ndodhen në zonë janë dërguar nga autoritetet shqiptare, apo nga shoqëria pronare e tragetit. Kanë tentuar të lidhin kavot me tragetin, për të evituar që ai t’u drejtohej brigjeve shqiptare, sepse ndodhej rreth 8 milje detare nga bregu. E ndërsa rimorkiatorët shqiptare kryenin këtë operacion, edhe pse jo shumë të pajisur me mjetet e nevojshme, kanë patur një incident, me dy viktima”.

Por shefi i kapitenerisë së Vlorës, Dionis Andoni thotë se do të jenë hetimet ato që do të zbardhin ngjarjen ndërsa nënvizon se ishte pala italiane ajo që kërkoi ndihmën e Shqipërisë.

Rimorkiatori “Iliria” që tashmë ka mbërritur në Vlorë ka pësuar avari dhe një tjetër rimorkiator u dërgua nga Vlora për ta tërhequr atë në breg, një operacion që nisi paradite dhe përfundoi rreth orës 14.30.

Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur dhe do të vleresojë nëse do të ngrihet akuzë.

Dyshohet se rimorkiatori Iliria, në pronësi të një Shoqërie Aksionere, nuk ishte i përshtatshëm për t’u dërguar në një operacion të këtyre përmasave.

Hetime kanë nisur edhe në Itali. Prokuroria e Barit u kërkoi autoriteteve shqiptare dhe kompanisë së tragetit Norman Atlantic të ndalojnë çdo veprim sa i takon rimorkimit dhe zhvendosjes se “Norman Atlantic” drejt bregut shqiptar.

Giuseppe Volpe / Prokuror i Barit: “Askush nuk mund të marrë tragetin pa urdhërin e prokurorisë së Barit, pasi kjo është vepër penale. E them këtë sepse në zonë janë dërguar rimorkiatorë nga shoqëria që ka në pronësi tragetin dhe i kemi kërkuar autoriteteve shqiptare që kjo të mos ndodh”.

Prokuroria e Barit po heton për vrasje me dashje dhe mbytje me dashje, për kapitenin e anijes, Arxhilio Xhakomaci dhe pronarin e saj, Karlo Vinsentin.

Fillimisht u hapën 3 procese hetimore, nga prokuroria e Barit, Leces e Brindizit. Por më pas hetimet u përfshinë në një dosje të vetme dhe po ndiqen nga prokuroria e Barit, e cila i kërkoi prokurorisë së përgjithshme shqiptare, që anija të tërhiqet nga ujërat territoriale shqiptare për t’iu nënshtruar hetimit në Itali.

Kërkesë kjo që u pranua nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë. Sipas autoriteteve shqiptare, Norman Atlantic, po tërhiqet nga disa rimorkiatore italiane për në portin e Barit, por deti i dallgëzuar vazhdon ta vështirsojë operacionin.

Tv Klan