17 Prilli i 2024-ës do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë. Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale. Osmani shkruan se shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave.

“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, shkruan Presidentja Osmani.

Ky vendim ka ardhur pasi rastit të dytë në 5 ditët e fundit të vrasjes së grave në Kosovë.  Ditën e sotme një grua 43-vjeçare është vrarë në mëngjes në Pejë, dyshohet nga bashkëshorti i saj.

Sipas informacioneve paraprake, ajo ka qenë duke konsumuar kafen e mëngjesit kur bashkëshorti i saj e ka qëlluar pas kokës me armë zjarri. Ai më pas ka lajmëruar policinë të cilët e kanë arrestuar dhe i kanë konfiskuar armën.

Më 12 Prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Mediat raportuan se autor i dyshuar ishte ish-bashkëshorti i saj. Ndaj tij, autoritetet kanë caktuar masën e paraburgimit prej një muaji./tvklan.al