Ndryshe nga sa pritej, Donald Trump do të lejojë deklasifikimin e dosjes së vrasjes së ish-presidentit John Kennedy. Përmes një njoftimi në Twitter, presidenti amerikan deklaroi se dokumentet sekrete te 22 nëntorit 1963 do të bëhen publike.

Mediat amerikane raportuan fillimisht se Trump do e bllokonte publikimin e dosjeve, duke rritur në këtë mënyrë dyshimet se Shtëpia e Bardhë ka diçka për të fshehur.

Rreth tre mijë dokumente qëndrojnë ende në arkivin shtetëror amerikan. Në vitin 1992 hyri në fuqi një ligj që urdhëronte publikimin e këtyre dosjeve brenda 26 tetorit 2017. Vendimi u mor për të garantuar transparencë dhe për të hequr dyshimet për komplote që kanë rrethuar prej vitesh atë që njihet si “vrasja e shekullit”.

Ligji i vitit 1992 u miratua nga kongresi amerikan pas reagimeve të shpërthyera nga filmi investigativ “JFK” i Oliver Stone. Një film që i dha zë dyshimeve dhe mistereve lidhur me vdekjen e presidentit më të dashur nga amerikanët.

Më 22 nëntor 1963 Xhon Kenedi, presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u vra në Dallas nga tre të shtëna me snajper që tronditën gjithë botën. Për vrasjen e tij u arrestua Li Harvei Osvald, por ngjarja la gjurmë në historinë e SHBA-ve për impaktin që pati në politikën amerikane./Tv Klan