8 persona janë shoqëruar në polici si të akuzuar për vrasjen me paramendim të Aleksander Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Policia e Lezhës tha se po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje si dhe në ambiente të tjera që lidhen me të,  nëpërmjet laboratorit shkencor dhe te gjitha potencialeve policore.

Një analizë e hollësishme në lidhje me ngjarjen, kryesuar nga Drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Niko Brahimaj është duke u zhvilluar në Lezhë.

Për zbardhjen e ngjarjes po punon një grup i posaçëm hetimor me Specialistë të Hetimit të Krimeve  të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe me Prokurorinë e Rrethit.

Sipas një njoftimi për shtyp të policisë, Policia e Lezhës e mbështetur dhe nga shërbimet FLO Shkodër kanë krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private.

Aleksandër Ndoka u gjet i vrarë rreth orës 4:20, minuta të mëngjesit në lagjen “Nënë Tereza”, në Lezhë.

Vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u qëllua me armë zjarri përpara banesës së tij, teksa po zbriste nga automjeti tij “Mitsubishi”.

Në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë gjetur 14 gëzhoja automatiku “Kallashnikov”, por  burimet e policisë thonë se 48 vjeçari kishte së paku 9 plumba në trup./tvklan.al