Një 18-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një sherri me thika mes disa të rinjve në Tiranë. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50 tek rrethi i Shkozës si pasojë e një konflikti të çastit mes disa personave që lëviznin me 2 automjete.

Sherri ka degraduar deri në përdorimin e mjeteve prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, Aurelio Dervishi. Si pasojë e dëmtimeve të marra, i riu ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, ka mësuar se në makinën e autorëve të ngjarjes tip “Volkswagen Tiguan”, ngjyrë gri, dyshohet se ndodhen 5 persona që janë në kërkim nga policia. Sipas të njëjtave burime, në automjetin tjetër tip “Audi” ndodhej viktima dhe një tjetër i ri, i cili është shoqëruar në polici. Nga deklarimet paraprake të tij, ka thënë se sherri ka qenë i momentit.

“Pse na shikoni”, ky ka qenë motivi i ngjarjes sipas të riut të shoqëruar në komisariat që ka qenë në një makinë me viktimën.

FOTO: Makina me të cilën dyshohet se po udhëtonte viktima

Dy makinat kanë ndaluar afër rrethit të Shkozës dhe aty të rinjtë janë konfrontuar fizikisht. Më pas, autorët me automjetin tip “Tiguan” dyshohet se janë larguar drejt Unazës Lindore.


Tiranë/Informacion paraprak:

Më datë 31.03.2024, rreth orës 21:50, tek rrethi i Shkozës, si pasojë e një konflikti të çastit mes disa shtetasve që lëviznin me dy automjete, (të cilët më pas janë konfliktuar fizikisht me mjete prerëse), është goditur me mjet prerës shtetasi A. D., 18 vjeç.

Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


/tvklan.al