Vrasësi norvegjez, Anders Behring Breivik rikthehet këtë martë në gjykatë, duke akuzuar qeverinë për dhunim të të drejtave të njeriut, për mbajtjen e tij në izolim.

Më herët, ai i ka krahasuar kushtet e tij në burg me një “torturë” të vërtetë.

Breivik vrau 77 persona në 2011 – ën pasi vuri një bombë në qendër të Oslos dhe më pas hapi zjarr mes turmës së njerëzve të pafajshëm.

Ai u dënua me 21 burg në 2012 – ën.

Breivik, 37 – vjeç, akuzon qeverinë norvegjeze për thyerje të dy klauzolave të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Një prej tyre garanton të drejtën për të respektuar “jetën familjare dhe private” dhe “korespondencën”, ndërsa tjetra ndalon “trajtime dhe dënime çnjerëzore apo degraduese”.

Avokati i tij, Oystein Storrvik, duke folur për Agjencinë e Lajmeve AFP, tha se Breivik ka qenë tepër i stresuar për shkak të izolimit, në burgun Skien, që ndodhet 100 km në jug – perëndim të kryeqytetit Oslo.

Sipas avokatit, një ndër gjërat kryesore për të bërë në burg është që i dënuari të studiojë dhe momentalisht Breivik nuk po e bën një gjë të tillë. Kjo për avokatin është një shenjë e izolimit të tij dhe mund të jetë diçka negative për shëndetin psikologjik.

Autoritetet, sipas BBC, thonë se ia kanë ndaluar korespondencën Breivik për ta parandaluar atë, që të krijojë një “rrjet ekstremist”. Vizitat e tij janë thuajse të gjitha nën vazhgimin e profesionistëve, që qëndrojnë në anën tjetër të xhamit.

Seanca dëgjimore pritet të zgjasë deri të premten.

Nëse gjykata vendos se kushtet e Breivik në burg janë aq strikte sa mund t’i shkaktojnë atij dëm dhe dhunojnë të drejtat e tij njerëzore, mund të urdhërojë zbutjen e tyre.

Shtatorin e shkuar, ai kërcënoi se do të vdiste urie në shenjë proteste për trajtimin e tij në burg.

Në një letër drejtuar mediave në Norvegji dhe Suedi, ai tha se mbahej thuajse në izolim total dhe lejohej jashtë qelisë vetëm një orë në ditë.

Breivik është ankuar gjithashtu për qelinë, duke thënë se nuk është e dekoruar bukur dhe nuk ka pamje, ndërsa kishte ankesa edhe për kafenë që i shërbehet e ftohtë apo se nuk kishte mjaftueshëm gjalp për bukën. /tvklan.al