Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vrarë liderin e Al-Kaedës për Gadishullin Arabik (AQAD).

Qasim al-Raymi, udhëhiqte grupin xhihadist prej 2015-s. Ai u vra gjatë një operacioni të ushtrisë amerikane në Jemen. Lajmin e konfirmoi Shtëpia e Bardhë.

Al-Raymi kishte lidhje me një seri sulmesh terroriste në Perëndim në vitet 2000. Ai mori drejtimin e grupit pasi paraardhësi i tij u vra nga një dron amerikan.

AQAD u formua në vitin 2009 nga dy degë rajonale të Al-Kaedës në Jemen dhe Arabinë Saudite. Qëllimi ishte përmbysja e qeverive të mbështetura nga SHBA-ja dhe eliminimi i influencës perëndimore në rajon.

Për Raymi-n kishin dalë zëra se ishte vrarë që në Janara. Por AQAD nxorri një mesazh zanor të Raymi-t më 2 Shkurt ku thoshte se grupi i tij ishte përgjegjës për një sulm në një bazë ushtarake në Florida.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë në deklaratën e saj nuk e tregonte ditën se kur është vrarë lideri i Al-Kaedës./tvklan.al