mirza-haklaj

Mirza Haklaj, xhihadisti shqiptar nga Mali i Zi, shfaqur në videon militantët e Shtetit Islamik kërcënonin Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit me sulme terroriste është vrarë gjatë betejave në Siri.

Lajmi është konfirmuar për mediat malazeze nga familjarët e Hakljat, që u njoftuan nga bashkëshortja e tij që ndodhet me fëmijët në territoret e Shtetit Islamik.

Pak ditë më parë, qendra mediatike e xhihadistëve Al-Hajat, publikoi një video ku  Haklaj me pseudonimin Abu Marjam Al-Albani, u bënte thirrje në serbisht myslimanëve të Ballkanit t’u bashkoheshin xhihadit.

Në të njejtën video shfaqen me mesazhe kërcënuese edhe xhihadistë të tjerë shqiptarë si Almir Daci nga Pogradeci.

Mirza Haklaj ndodhej prej më shumë se një viti në Siri, me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Mediat malazeze bëjnë të ditur se pak kohë para largimit nga Mali i Zi, ai kishte dhunuar disa imamë në një xhami të Podgoricës. Të shumtë janë shtetasit nga Ballkani që i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

E përditshmja gjermane “Die Welt” shkruan se Kosova mban rekordin për militantët e dërguar drejt territoreve të Shtetit Islamik në përpjestim me popullsinë. Nga ky vend, deri më tani janë nisur 250 militantë.

Për të dhënat u referohet shërbimeve inteligjente gjermane, sipas të cilëve Shteti Islamik ka shtuar aktivitetin në Ballkan dhe po e shndërron rajonin në një portë hyrëse të xhihadistëve drejt Europës.

Tv Klan