“Na mashtruan për anëtarësimin e Kosovës në KiE”

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ndjehet i mashtruar nga ndërkombëtarët sa i përket qëndrimit të tyre për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Ndërsa Prishtina pret që gjatë Prillit të marrë dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, kreu i shtetit serb thotë se për këtë gjë ndërkombëtarët janë parlajmëruar për pasojat që do të ketë.

Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë: Pres vetëm lajme të këqija për ne dhe për këtë do të flas në ditët në vijim. Unë do të shpjegoj se si na mashtruan, ku dhe si na kanë gënjyer disa të ashtuquajtur miq, e shumë të tjerë, dhe kjo ka të bëjë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne u thamë atyre se çfarë do të bëjmë nëse kjo ndodh.

Dhe hapi i parë që Vuçiç parlajmëroi nëse anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës bëhet fakt është ndryshimi i qasjes në dialog.

Aleksandër Vuçiç: Do të flasim në një mënyrë tjetër. Jemi gjithmonë të gatshëm të dialogojmë, por tani me një qasje tjetër. Ne nuk jemi më budallenj.

Deklaratat, presidenti Vuçic i bëri gjatë një takimi me nxënës të shkollave fillore nga Kosova, ku ndër të tjera Banjskën e konsideroi heroike dhe që sipas tij të huajt po përpiqen ta shpallin vend të së keqes.

Tv Klan