I dalë totalisht nga objektivat, por me shpresën që nën drejtimin e tij do të arrijë sërish majat. Çavi Hernandez ka bërë prapakthehu teksa ka besuar sërish tek Barcelona. Pas një kohe reflektimi, spanjolli ka vendosur të qëndrojë në Katalonjë edhe për sezonin e ardhshëm, duke respektuar deri në fund kontratën me gjigantët e La Liga.

Vendim që vjen pas dy humbjeve të bujshme, eliminimi nga Champions League kundër Pari Së Zhërme por edhe asaj disfate të hidhur me Real Madrid në “El Clasicon” e tretë të sezonit, për t’i lënë 11 pikë larg kreut të kampionatit.

Pas bisedimeve me drejtorin sportiv Deco dhe presidentin Joan Laporta, 44-vjeçari është bindur nga projekti i klubit ku fitoi gjithçka si futbollist. Në janarin e këtij viti, Çavi pranoi se ishte sezoni i fundit nën drejtimin e katalanasve, duke lënë të kuptohet se do të qëndronte nëse plotësoheshin disa kushte.

Në sezonin e tij të parë në Spanjë, Çavi arriti të ngre lart trofeun e La Liga dhe atë të Superkupës së Spanjës. Por pavarësisht këtyre titujve, sezoni aktual është shumë larg parashikimeve me Barcelonën që ka shumë gjasa për ta mbyllur pa trofe. Barcelona po përballet me sfida të mëdha në lidhje me faturat financiare dhe projektin prej 1.6 miliardë Eurosh për rinovimin e stadiumit “Camp Nou”.

Për të shlyer këto detyrime, skuadra spanjolle pritet të jetë e limituar në merkaton e kësaj vere, duke u detyruar të shes lojtarët kryesore për të përmbushur rregullat e Fair Play Financiar. Çavi luajti për Barcelonën për 17 vite, duke bërë 767 paraqitje dhe duke fituar 25 trofe, përfshirë katër tituj të Ligës së Kampionëve dhe tetë të La Ligës. 

Klan News