Xhihad

Xhihadistët kosovarë alarmojnë Italinë. Policia italiane është vënë në ndjekje të dy shqiptarëve nga Kosova të konsideruar si të rrezikshëm për sigurinë e vendit, të cilët kanë hyrë me vizë të rregullt në territorin këtij vendi.

Lajmi publikohet në faqe të parë të mediave më të rëndësishme të vendit fqinj. Dyshohet se mund të jenë akoma në Itali. Rasti u zbulua nga një hetim i fshehtë i përbashkët i EULEX-it dhe prokurorisë së Romës.

Nga hetimet rezulton se në Itali kishin hyrë me vizë të rregullt 3 xhihadistë shqiptarë. Njëri prej tyre humbi jetën në një sulm vetëvrasës në Irak. Fati i dy të tjerëve nuk dihet.

Të përfshirë në këtë aferë janë disa punonjës të ambasadës italiane në Prishtinë. Dyshime të forta bien edhe mbi ish-ambasadorin Luis Michael Giffoni, i cili nuk është vënë nën hetimit, por u shkarkua pak muaj më parë nga Ministria e Jashtme Italiane dhe u kthyer me urgjencë në Romë.

Mediat italiane thonë se vizat ishin mjaft të lehta për t’u blerë në ambasadën italiane, vlera e të cilave arrin në 3500 euro. Dyshohet gjithashtu se bashkëpunëtor në shit-blerjen e vizave italiane ka qenë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Ai u arrestua në qershor nga forcat e EULEX, nën akuzën e falsifikimit të vizave të huaja, përfshirë edhe atyre italiane.

Gjithçka ishte zbuluar pas përgjimeve telefonike të EULEX-it, të nisura nëntorin e kaluar. Një muaj më pas gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg 30 ditor në arrest shtëpie.

Pyetja që ngrihet tashmë nga mediat italiane është nëse këta 3 xhihadistë, ishin të vetmit që kishin përfituar të tilla viza të rregullta italiane.

Tv Klan