Xhuliano Kosturi nuk e ka njohur personin që e plagosi mbrëmjen e të dielës në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në Tiranë. Të pakten ky është versioni që ai ka dhënë policisë.

22 – vjeçari është marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe ka deklaruar se ai nuk ka mundur ta shohë në fytyrë personin që e qëlloi me pistoletë në shkallët e pallatit ku banonte.

Ka pranuar se ka patur konflikte me dy persona, por ka mohuar që të kenë qenë sherre që mund të vazhdonin dhe të degjeneronin në përdorimin e armëve. Personat e përmendur prej tij janë marrë në pyetje dhe kanë mohuar përshirjen në atentat.

Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë. Në filmimet e siguruara nga Televizioni Klan, autori i plagosjes shfaqet duke çaluar. Pas plagosjes, ai ikën me shpejtësi. Hetuesit thonë se ai ka bërë si i çalë me qëllim që të manipulonte dëshmitarët e mundshëm okulare.

Sipas tyre, ai duhet të ketë qenë në dijeni se në hyrjen e pallatit ka patur kamera, për këtë arsye mban një kapuç dhe gjatë gjithë kohës është me kokë ulur, me qëllim që kamera të mos i fiksojë fytyrën.

Xhuliano Kosturi gjendet aktualisht në spital. Ai ka humbur një veshkë nga plumbi që e kapi në bark.

Tv Klan