Kompanitë që garonin, të lidhura me njëra-tjetrën

SPAK nisi hetimet për tenderin me fond limit prej 7 milionë lekësh në Bashkisë e Durrësit pas denoncimit të bërë nga një punonjës i zjarrfikëses, i cili kishte konstatuar që mjeti i blerë qëndronte prej muajsh në vendin ku Policia e Durrësit, mbante mjetet e sekuestruara.

Sipas dosjes që ka siguruar Tv Klan, pas denoncimit, SPAK ka nisur verifikimet në përfundim të të cilave mori të pandehur 6 zyrtarë të bashkisë dhe 2 administratorë të kompanive që konkurruan në tender.

Nga hetimet ka rezultuar se 5 kompanitë që kanë qenë kandidate për të fituar tenderin, kishin lidhje me njëra-tjetrën, kjo e vërtetuar nga lidhjet familjare të administratorëve, por edhe pagimit të siguracioneve, kur rezultonin të kishin punuar në të njëjtat kompani në kohë të ndryshme.

Më tej, SPAK thotë se nga verifikimet, rezultoi se mjeti auto-shkallë e blerë për 6.6 milionë Lekë, është blerë nga kompania fituese, te një prej kompanive të skualifikuara, duke bërë që çmimi fillestar i mjetit të rritej.

Ndërkohë, mjeti autoshkallë i blerë nga zjarrfikëset për shkak të mungesës nuk është vënë asnjëherë në punë. Komisioni i pranimit të mallit ka konstatuar se mjeti kishte shumë mungesa teknike, ndërsa nga hetimi i SPAK, rezultoi se nuk kishte as lejen e nevojshëm të qarkullimit dhe ishte amortizuar.

Tv Klan