Në këtë objekt ndodhet studio “ALUSHANI”, në të cilën dyshohet se prodhoheshin kartat e falsifikuara dhe pasaportat bullgare dhe italiane, që janë përdorur për trafikimin e personave nga Shqipëria në drejtim të SHBA-së, Anglisë dhe Kanadasë. Ajo ndodhet vetëm 200 metra larg Prokurorisë së Përgjithshme.

Studioja është në pronësi të Ismail Alushanit, i cili është një prej personave të arrestuar nga policia si pjesë e grupit me 17 persona. Ajo ka nisur aktivitetin që prej vitit 1998, ndërsa në vitin 2000 ajo është regjistruar si subjeket tregtar në organet tatimore.

Në këtë objekt dyshohet se janë prodhuar pjesa më e madhe e dokumenteve false të përdorura nga grupi i trafikantëve. Hetimi nisi në vitin 2016, pas ndalimit nga policia të disa personave të riatdhesuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

Që prej asaj kohe, hetimet dokumentuan kalimin e së paku 200 personave që pritet të riatdhesohen pas përfundimit të procedurave të depërtimit. Grupi dyshohet se mund të ketë trafikuar mbi 700 persona dhe sipas hetimit, mund të jenë prodhuar mbi 1 mijë dokumente false.

Në Nëntor të vitit 2017, përgjimet zbuluan përfshirjen e oficeres së policisë Entela Çala dhe policit Arian Uku. Në këtë moment u vendos përfshirja e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe dosja i kaloi direkt për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda me qëllim shmangien e një dekonspirimi të mundshëm. Policia u urdhërua të kryejë ekzekutimet vetëm një ditë përpara operacionit dhe në listën që duhej të ekzekutonte, nuk ishin dy oficerët e policisë. Ata u arrestuan nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme.

Tv Klan