Fredi Muho u gëzua shumë kur një gjykatë apeli shpalli një vendim në favor të familjes së tij, për një parcelë prej nëntë hektarësh me pamje nga një plazh me rërë në bregdetin e Adriatikut.

Por ëndrrat e tij për të ndërtuar një hotel me emrin “Boutique” për turistët u shuan brenda disa javësh dhe kjo për shkak të ligjeve të koklavitura të vendit mbi të drejtat e pronësisë dhe korrupsionin që ka kapluar sistemin e drejtësisë.

“Dikush që unë s’e kisha parë kurrë më parë në jetën time, ngriti një pretendim mbi pronësinë e parcelës në gjykatën e vendit, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe e fitoi çështjen”,

tha ai.

“Më kanë kërkuar të paguaj mijëra euro që gjykata të marrë një vendim në favorin tim, por unë kam refuzuar”.

Shtatë vjet më vonë, Muho shpreson që zgjedhjet e përgjithshme të vendit, të shënojnë një pikë kthese për fatin e tij.

Edi Rama, Kryeministri që qeverisi në mandatin e kaluar, shpreson të kthehet në postin e kreut të Partisë Socialiste dhe po bën shumë premtime për pastrimin e sistemit të gjyqësorit, shkarkimit të gjyqtarëve të korruptuar dhe përmirësimin e të drejtave pronësore.

Zgjedhjet, të cilat do të zhvillohen nën sfondin e një paqëndrueshmërie politike në Ballkan, po ashtu do të përcaktojnë fazat e ardhshme të Tiranës zyrtare me Bashkimin Evropian. Përparimet në aspektin e të drejtave pronësore dhe lufta ndaj korrupsionit, ishin dy nga kushtet e vendosura blloku i shteteve ndërkombëtare, para se Shqipëria të fillojë negociatat e shumëpritura të pranimit në BE. Vendi është anëtar i NATO-s që nga viti 2009 dhe një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE që nga viti 2014.

Çështja e pronës “mbetet një lëmsh që është zgjatur ndër vite” dhe ka prekur mijëra njerëz

, tha Rama. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ka ruajtur me fanatizëm dokumentet e titujve të ish-pronarëve pas shpronësimit të pronës private. Hapja e kutive në vitin 1991, pas përfundimit të epokës komuniste, u pasua me falsifikime të shfrenuara.

Rama tha se qeveria ka ngritur një fond kompensimi prej 500 milion eurosh për të ndihmuar në pretendimet e pronarëve gjatë dekadës së ardhshme.

“Tani kemi ndërtuar bazat për të shkuar drejt një zgjidhjeje”,

shtoi ai.

Për sa i përket korrupsionit në sistemin ligjor, parlamenti u thërrit këtë javë për mbajtjen e një seance të posaçme për miratimin e legjislacionit që synon pastrimin e gjyqësorit nga korrupsioni. Rreth 1,000 gjyqtarë, prokurorë dhe asistentë ligjorë do të përballen me procedurat e verifikimit që do të monitorohen nga një komitet gjyqtarësh dhe prokurorësh nga SHBA. Pothuajse 400 prej tyre përballen me akuza për korrupsion.

“Atyre do t’iu duhet të justifikojnë burimet e tyre të të ardhurave, shumë prej tyre kanë një pasuri të pajustifikuar dhe do iu duhet të provojnë që nuk kanë lidhje më krimin e organizuar,”

 tha Kryeministri shqiptar. 

“Ata gjithashtu do të testohen profesionalisht.”

Vëmendja që i është dhënë ligjit ka rritur mbështetjen për partinë e Edi Ramës. Një sondazh nga “IPR Marketing” i Italisë për televizioni shqiptar Ora News, parashikon se socialistët do të arrinin të merrnin 48 për qind të votave, dhe Partia Demokratike me lider Lulzim Bashën, një ish ministër i jashtëm, parashikohet të marrë 33 për qind të votave.

Megjithatë një shifër e tillë, mund të mos jetë e mjaftueshme për t’iu garantuar socialistëve një shumicë të plotë në një parlament me 140 vende. Në administratën në ikje, Rama ka qeverisur nëpërmjet një partneriteti të egër me LSI-në e udhëhequr nga Ilir Meta, një ish-kryeministër i cili u zgjodh president i Shqipërisë në Prill nga një votim parlamentar.

Me një mandat më të fuqishëm, Rama do të përballej me më pak kufizime gjatë një mandati të dytë. Partia e Metës mbajti portofolin e drejtësisë, e cila mbikëqyr çështjet e pronësie dhe gjyqësorin, por ka treguar hezitim në mbështetjen e reformave. Rama nuk ka pranuar të diskutojë një koalicion të ri përpara zgjedhjeve.

Në vendin e dytë më të varfër të Evropës, hapat e transformimit mbeten në pikëpyetje. Fushata zgjedhore është e mbushur me akuza se cila parti ka më shumë përgjegjësi për shifrat alarmante të papunësisë në Shqipëri, të cilat detyrojnë shumë të rinj të emigrojnë jashtë vendit dhe ngadalësojnë ritmet e ndërtimit të një infrastrukture të re.

“Njëzet e shtatë vjet pasi komunizmi u rrëzua disa nga zgjedhësit ende përpiqen të plotësojnë nevojat themelore. Ata duhet të përballen me ndërprerje të energjisë dhe mungesa të ujit dhe më një varfëri që rri këmbëkryq si dhe papunësi në shifra shqetësuese

”- tha Rudina Hajdari, një e diplomuar për shkenca politike në SHBA dhe kandidate e Partisë Demokratike në një lagje periferike në Tiranë.

Një plagë tjetër është dështimi i Shqipërisë, për të luftuar kontrabandën e drogës dhe krimin e organizuar. Kultivimi i kanabisit, shumica e të cilit gjen rrugën drejt BE-së, ka shpërthyer fuqishëm në dy vitet e fundit.

Zgjedhjet e kaluara për qeverinë janë paraprirë nga protesta të dhunshme, por kësaj radhe janë shmangur trazirat. Demokratët, pasi refuzuan të marrin pjesë në aktivitetet parlamentare për muaj me radhë dhe duke kërcënuar që do të bojkotojnë zgjedhjet, papritmas hapën rrugë për një marrëveshje. Marrëveshja erdhi pas ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve nga BE dhe SHBA, të cilët janë të shqetësuar për paqëndrueshmërinë e Ballkanit perëndimor në një kohë kur ndikimi i Rusisë në rajon është rritur.

“Demokratët u ndjenë veçanërisht të kërcënuar nga reforma gjyqësore sepse shumë gjyqtarë dhe prokurorë u shënjestruan gjatë kohës që ata ishin në pushtet. Megjithatë, në vend që konfrontimi të përshkallëzohej, Basha dhe Rama më në fund arritën në një marrëveshje”,

tha Ilir Kalemaj, një analist i politikës.  

Nëse vëzhguesit ndërkombëtarë gjykojnë se zgjedhjet do të jenë pa probleme, kjo do të rrisë shanset që Shqipëria të fillojë negociatat për hyrjen e saj në BE deri në fund të këtij viti dhe anëtarësimin e vendit deri në vitin 2022.

Më shumë se një e katërta e popullsisë mendohet se tashmë janë të punësuar në një nga vendet e BE-së, kryesisht në Greqi dhe Itali. Një diplomat nga Perëndimi, thotë se hyrja e Shqipërisë në BE shihet si

“një rezultat i pashmangshëm nga udhëheqësit polikë të Shqipërisë”,

megjithëse nuk është ndjerë shumë këmbëngulja për ta arritur këtë gjë.

Burimi: Financial Times

Shqipëroi: tvklan.al