Presidenti i SHBA, Joe Biden ka reaguar lidhur me protestat pro Gazës në Amerikë. Gjatë fjalës së tij, Biden është shprehur se studentët kanë të drejtë të protestojnë, por jo të shkaktojnë kaos.

Në fjalën e tij të shkurtër, Joe Biden tha se liria e fjalës dhe sundimi i ligjit duhet të jenë parësore. Më tej, Presidenti amerikan deklaroi se vandalizmi, thyerja e dritareve, mbyllja e kapuseve dhe detyrimi i anulimit të mësimit në klasa, nuk janë një mënyrë paqësore e protestave.

Ajo që u vu re ishte se Biden nuk u përpoq që të shpjegonte apo të mbronte politikat e administratës së tij ndaj Izraelit apo luftës në Gaza. Gjithashtu, Presidenti nuk bëri asnjë përpjekje për t’u dhënë studentëve ndonjë arsye për të ndaluar protestën, por vetëm i paralajmëroi ata se nëse do të kalonin kufirin nëpërmjet demonstratave, do të kishte pasoja në dëm të tyre.

Deklarata e tij vjen pasi oficerët e policisë kanë thyer barrikadat për të shpërndarë protestën pro-palestineze në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. Qindra njerëz me tenda kishin ngritur kampe në universitet, ndërsa oficerët u thanë atyre të lëviznin, ose në të kundërt do të arrestoheshin. Gjatë natës, qindra oficerë hynë në vend dhe deri të enjten në mëngjes shumica e protestuesve ishin larguar.

Të martën mbrëma, një grup i maskuar pro-izraelit sulmoi një kamp studentor pro-palestinez. Demonstratat po vazhdojnë në dhjetëra universitete në të gjithë SHBA-në dhe ka pasur më shumë se 1000 arrestime gjatë këtyre ditëve./tvklan.al