Peripecitë e Sandro Tonali me drejtësinë sportive duket se nuk kanë të sosur. Pas Federatës Italiane, mesfushori është pezulluar me dy muaj dhe gjobë 20 mijë Euro edhe nga institucioni më i rëndësishëm i futbollit anglez.

Konfirmimi ka mbërriture edhe nga klubi i tij, Newcastle që pranon se Tonali do të qëndrojë jashtë fushave të lojës për të paktën edhe këtë sezon. Periudhë në të cilën, 23-vjeçari ishte dënuar edhe nga Federata Italiane, duke e shpallur kështu fajtor mesfushorin për vënien e basteve sportive.

Në rast të përsëritjes së veprimeve, Tonali do të pezullohej për një vit nga futbolli, ndërsa i sigurt është fakti që mesfushori do të mungojë në Kampionatin Europian të kësaj vere. Ish-mesfushori i Milanit akuzohet se ka vendosur baste në 50 raste në periudhën Gusht-Tetor të vitit të shkuar, ku ishte bërë pjesë e skuadrës angleze të Newcastle.

Mesfushori ka pranuar se në këto baste, ai ka përfshirë në 4 raste fitimin e ekipit bardhezi dhe ku në fushë ishte edhe 23-vjeçari. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Federatës Angleze nuk kanë vënë kurrë në dyshim ndikimin në rezultat të basteve të luajtura nga mesfushori.

Klan News