Diellë Marinaj nga Lezha tregon për emisionin “Stop” në Tv Klan se prej 2016-ës jeton në Tiranë. Në vitin 2022 shkon të paguajë faturën e energjisë elektrike dhe i thuhet se ka një debit pasi është ndërruar matësi në 2018-ën. Por zonja shpjegon se nuk e ka ndërruar matësin. Faturat i vijnë me numër matësi të ri ndërkohë nga ankesa që ka bërë tek furnizuesi i shërbimit universal, përgjigja i vjen me numrin e matësit të vjetër.

Problematika nuk ka marrë një zgjidhje edhe pse zonja thotë se ka qenë e rregullt me pagesat e energjisë elektrike. Në terren rezulton se matësi që ndodhet në objekt ka numrin e sahatit të vjetër e jo numër të ri, që do të thotë se nuk ka ndryshuar. Dhëndri i Diellës u drejtua tek Kujdesi ndaj Klientit, ku i thonë se matësi është ndërruar në 2016-ën dhe duhet të jetë në objekt.

Qytetari: Për çfarë më është bërë ky keqfaturim, për çfarë arsyeje?

Punonjësja: Në datën 29 maj 2016 iu është ndërruar, është menaxhuar matësi.

Qytetari: Kush e ka bërë kërkesën?

Punonjësja: Është menaxhuar matësi.

Qytetari: Si është menaxhuar?

Punonjësja: Kanë gjetur matësin në objekt, është menaxhuar matësi.

Qytetari: Po faturat?

Punonjësja: Që në momentin, që është menaxhuar ky matës, ju kanë gjetur edhe vlerat e kilovatëve.

Qytetari: Faturat pse vijnë në matës tjetër?

Punonjësja: Në qershor 2018 është ndërruar matësi. Në 2016 qenka ndërruar.

Qytetari: Në maj të 2016 e jep sikur është ndërruar dhe në qershor 2018 ka hyrë në sistem.

Punonjësja: Se këtu e kanë menaxhuar. Këtu del sikur tek matësi i ri ke 38 mijë kë.

Qytetari: Ku është ai?

Punonjësja: Predispozohet të jetë në objekt.

Qytetari: S’ndodhet. Çfarë zgjidhje më jepni, kur nuk ndodhet në objekt?

Punonjësja: Predispozohet të jetë matësi në objekt, përderisa të kanë menaxhuar kilovatët.

Qytetari: Ata e kanë verifikuar, që nuk është aty. Përse më vijnë prapë faturat?

Punonjësi: Kjo ndryshohet, se s’është problem.

Qytetari: Kam ardhur mbi 20 herë dhe s’më është kthyer asnjë lloj përgjigje, se ku shkohet.

Punonjësi: Vetëm duke bërë përsëri kërkesë.Tani shkohet vetëm në gjyq.

Qytetari: Këtu nuk ka zgjidhje?

Punonjësi: Edhe për ne s’ka pasur zgjidhje këtu.

Gazetarja e “Stop” u drejtua tek OSHEE dhe qytetari u telefonua dhe u orientua për të bërë një kërkesë tjetër e këtë herë për të zgjidhur problematikën, pa paguar asgjë./tvklan.al