Në harkun kohor të dy deri tre viteve, qeveria shqiptare do të investojë me paratë e privatit 1 miliard euro në ekonominë shqiptare. Por si do të funksionojë kjo skemë e nxitjes së ekonomisë? Në një intervistë për televizionin Klan, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, thotë se tre fushat prioritare janë rrugët, shëndetësia dhe arsimi. 

Cilado kompani që ka një projekt ide për të bërë një vepër publike me formulën partneritet publik-privat, mund ta dorëzojë në qeveri.

Po përse veprat publike po bëhen me paratë e firmave private dhe jo me ato shtetërore?

Një formë tjetër është edhe ajo e borxhit publik, por Ahmetaj nënvizon se qeveria ka prioritet uljen e tij. Ai garanton se nuk do të ketë asnjë tarifë të re që kompania që ndërton rrugën, spitalin apo shkollën do të verë mbi qytetarët.

Ahmetaj sqaron se nuk do të miratohet asnjë projekt i cili nuk ka një kapital fillestar prej 20% të vlerës së investimit. Ky do të jetë kusht.

Deri tani janë 15 oferta të pakërkuara që janë dorëzuar në qeveri, 8 prej të cilave janë rrugë. Nga kjo paketë qeveria parashikon të realizojë një rritje ekonomike 3% më të lartë mbi atë që është sot. / TV KLAN