11 policë dhe një qytetar mbetën të lënduar gjatë protestës së kësaj të shtune të organizuar nga opozita. Ky është bilanci i dhënë nga Policia e Shtetit pas përfundimit të saj. Policët e lënduar u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se policët janë plagosur duke kryer detyrën.

Kreu i Policisë së Shtetit flet edhe për plagosjen e kryeredaktorit të gazetës Rilindja Demokratike.

“I uroj shërim të shpejtë qytetarit dhe këtë le ta gjykojnë pamjet filmike dhe hetimi i mëtejshëm në rast se ka gabuar policia apo ka gabuar qytetari”.

Video që tregon më qartë momentin e incidentit u shpërnda nga Zyra e Shtypit të Partisë Demokratike. Vetë Kasmi rrëfen momentin ku mori goditjet që i shkaktuan plagë dhe hematoma në kokë.

“Në atë moment isha duke bërë foto për gazetën online. Kanë qenë dy ose tre nga këto policët, me maska me skafandra në mënyrë të pabesë,  s’kishim as armë veçse celularëve që po transmetonim foto. Më kanë godit herën e parë njëri me dy shkopinj gome në të djathtë të kokës. Nuk pata çarje. Pastaj ishte dikush tjetër që nuk munda ta fiksoj për shkak të hematomës që mora përnjëherë. Më ka goditur tri herë kokës këtu”.

Policia thotë se e ushtroi detyrën në përputhje me ligjin, ndonëse sipas saj, grupe personash tentuan të çajnë me dhunë kordonin para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Ajo sqaron se një ekip i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po punon për identifikimin e personave përgjegjës, si dhe dokumentimin e plotë të episodeve të dhunës.

Ministri i Brendshëm, në një postim vlerësoi reagimin e forcave të policisë, duke thënë se profesionalizmi dhe qetësia e treguar në protestë ishte shenjë e respektit ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Protesta e opozitës u mbikëqyr nga 1500 policë, që u instaluan pranë institucioneve kryesore që në orët e para të mëngjesit dhe 500 trupa të njësive speciale të RENEA-s, FNSH-s dhe “Shqiponjave”.

Tv Klan