573 vite më parë në Manastirin e Ardenicës është organizuar martesa e heroit tonë kombëtar Skënderbeut me Donikën.

Për të përkujtuar këtë ditë në të njëjtën datë 26 Prill, banorët e Ardenicës e kanë kthyer në një festë lokale e cila organizohet me mbështetjen e Bashkisë së Lushnjes. Tradita e dasmës së tyre sillet në kohë nga dy gjimnazistë të veshur me kostume popullore.

Banorët e Ardenicës tregojnë se në këtë mënyrë i është dhënë mundësi nxënësve të njohin traditën dhe historinë e qytetit të tyre.

“Merr një rëndësi të veçantë sepse vetë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti është kurorëzuar në këtë Manastir edhe nga kjo është bërë tani si e përvitshme edhe një gjë shumë e bukur edhe për zonën tonë.”

“Akoma duhet më shumë, më e harmonishme të jetë që edhe ky brez i ri t’i kujtojnë gjërat e shkuara.”

“Edhe për ne si fshat është një kënaqësi dhe është një fat që Skënderbeu e ka bërë kurorëzimin në këtë Manastir i cili është një perlë edhe nga na turistike.”

Në këtë ditë përveç këngëve dhe valleve popullore, organizohet edhe panairi i gatimeve tradicionale. Kurorëzimi i Skënderbeut është kthyer në festë të përvitshme për Lushnjen.

“Jo vetëm për ta kujtuar këtë ditë, por edhe duke organizuar festa të tilla ne arrijmë që të përçojmë sidomos tek brezat e rinj që janë këtu, por jo vetëm edhe atë historinë aq të lavdishme që ka bërë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.”

Ardenica është atraksioni turistik më i rëndësishëm i këtij qyteti, ndaj bashkia është fokusuar t’i kushtojë rëndësi të veçantë promovimit të turizmit në këtë zonë.

Klan News