Prokuroria Speciale paraqiti një dosje me 43 mijë faqe

Në Qershor të vitit 2021 ka kërkuar që të nis gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve prokurorja e Dhomave të Specializuara. Por këtë e ka kundërshtuar mbrojtja duke e quajtur absurd.

“Prokuroria ka kryer hetime të gjata mbi 5 vjet dhe ka pasur në dispozicion materiale edhe prej hetimeve tjera që janë kryer shumë vite më parë. Prokuroria ka kryer hetime para situatës së koronavirusit. Mendoj se do të na duhen 18 muaj përpara se të mendojmë për fillimin e një gjykimi. Propozimi që gjykimi të nisë në Qershor është absurd. Kjo është një çështje e komplikuar dhe ndoshta mund të fillojë një vit më pas”.

Ndërsa avokati mbrojtës i Kadri Veselit i ka quajtur qesharake akuzat.

“Nuk ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale siç thuhet në aktakuzë. UÇK ka qenë një lëvizje kryengritëse popullore spontane dhe e organizuar në mënyrë minimale për të mbrojtur popullatën civile nga regjimi serb”.

Prokuroria ka njoftuar se do të duhen hapa të tjerë hetimor lidhur me materialet që i kanë konfiskuar gjatë kontrolleve në shtëpitë dhe zyrat e të arrestuarve dhe se brenda tre javësh atyre do të dorëzohet një vëllim i konsiderueshëm i materialeve mbështetëse të aktakuzës. Prokuroria gjithashtu ka kërkuar masa mbrojtëse për dëshmitarët.

Tv Klan