Pjesa më e madhe për një kompani të vetme

Buxheti i shtetit do të duhet që të paguajë 109.5 milionë euro për detyrime që rrjedhin nga vendime të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit.

Në një dokument të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbi zbatimin e buxhetit të këtij viti, rezulton se nga i gjithë ky fond detyrimesh kontigjente, nuk është paguar asnjë shumë për 6 muajt e parë të vitit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19.

Institucioni i Ministrisë së Financave shpreh shqetësime për këto fatura ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa i rekomandon Avokaturës së Shtetit negocimin e mosmarrëveshjeve me kompanitë që kanë paditur shtetin shqiptar.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në vazhdimësi dhe me këmbëngulje, ka rekomanduar forcimin e rolit negociues të institucioneve buxhetore dhe Avokaturës së Shtetit në çështjet e kësaj natyre, si edhe disiplinimin e procesit të shlyerjes financiare të përfituesve”.

Në total e gjithë shuma prej 109.5 milionë eurosh do të ndahet mes 6 shoqërive që kanë paditur shtetin dhe disa institucione shqiptare.

Vlera më të madhe për t’u paguar është për kompaninë “Hydro srl”, 99.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër ndahet për firmën që është ankimuar për rrugën Tiranë-Elbasan, atë të Portit të Karpenit, Aeroportin e Tiranës dhe një kompani italiane që ka patur mosmarrëveshje me ministrinë e Bujqësisë.

Tv Klan