13 shtetas të huaj kanë marrë nënshtetësinë shqipatre. Gjatë ceremonisë së betimit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se marrja e pasaportës është bashkim për të çuar vendin përpara.

“Ky moment solemn nuk është thjesht marrja e një pasaporte, por bashkimi me një kauzë, me një skuadër që ka një mision. Ky mision ka qenë shumë i vështirë në vitet ’90, kur të gjithë donin ta linin pasaportën shqiptare, të largoheshin nga vendi. Nëse shumica e vendeve të botës vuan nga ksenofobia, ne vuanim nga ksenofilia, donim çdo gjë të huaj, përfshirë edhe shtetësinë. Por, kjo ka ardhur duke ndryshuar. Sot kemi më shumë njerëz që duan të marrin shtetësinë shqiptare, se sa njerëz që e lënë atë. Sot Shqipëria dhe Tirana sidomos, është gjithmonë e më shumë kozmopolitane.”

Sipas Veliajt, shtetasit e rinj, ta shohin vendin edhe si një mundësi për të kontribuuar në mbarëvajtjen e shoqërisë.

“Unë jam rritur në një qytet kur në atë kohë kishte 200 mijë banorë. Sot ka mbi 1 milion. Pra, është 5-fishuar që nga fëmijëria ime. Kur shikonim një të huaj e tregonim me gisht dhe e ndiqnim nga mbrapa për të kapur një rreze të botës. Sot e gjithë bota është në Tiranë. Më parë, kur dilja nga zyra dhe përshëndesja njerëzit, ishin të gjithë shqiptarë, njiheshim të gjithë. Tani shumica janë të huaj. Është bërë shumë biznes sot me AirBnb, me hotelet dhe me reputacionin e vendit.”

Sipas Veliajt, më shumë se marrja e pasaportës nga shtetasit e huaj, nënshtetësia shqiptare është një mision për angazhimin e disa proceseve për vendin.

Tv Klan