Rreth 16 mijë makina që qarkullojnë në Shqipëri janë pa prerë siguracionin. Shifrën e ka dhënë drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Ervin Koçi, i thirrur për herën e tretë që të raportojë në Komisionin e Ekonomisë. Koçi sqaroi se këto mjete kanë paguar taksën e regjistrimit, por nuk kanë sigurim.

“I kam kërkuar Drejtorisë së Transportit Rrugor marrëveshje që të vihet kusht prerja e siguracionit para se të paguhet taksa e regjistrimit, më është përgjigjur që nuk është agjent tatimor. Jam duke vazhduar kërkesën në instanca të tjera”.

Koçi tha se ka marrë disa masa për zbatimin e ligjit dhe rregullave edhe ndaj shoqërive të sigurimit që operojnë në Shqipëri, ndërsa Komisioni i Ekonomisë vijoi t’i kërkojë vendosjen e autoritetit të institucionit që ai drejton. Kërkesa erdhi sërish pasi ai pranoi se disa nga kompanitë nuk kanë zbatuar masat e rekomanduara nga AMF.

Tv Klan