100 lokale në Tiranë kanë pranuar një nisme të bashkisë që çmimi i kafes të jetë 20 lekë… Jo për të rinjtë ama, por për pensionistët. Nisma është pagëzuar me emrin “Kafe me gjyshin” dhe është kopjuar nga koha kur Edi Rama drejtonte bashkinë e Tiranës.

 

Për t’ju dhënë lajmin kryebashkiaku Erion Veliaj, ka pirë një kafe me pensionistë në një nga kafenetë që do të ofrojnë kafen 20 lekë për gjyshet dhe gjyshërit.

Jam shumë entuziast që po e filloj mëngjesin me Selimin dhe kolegët e tjerë, për këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. Është një nismë e cila në fakt është filluar Edi Rama kur ka qenë kryetar bashkie, por u la në harresë 4 vjet. Sot e rikthejmë prapë dhe nisma quhet: “Kafe me gjyshin”, ose me gjyshen, dhe është një rrjet kafenesh në të gjithë Tiranën që nga ora 7 deri në orën 9 të mëngjesit, të cilat do ta shërbejnë kafen me 20 lekë, për të ndihmuar të gjithë ata që janë pensionistë

”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se nga kjo nismë do të përfitojnë të gjithë pensionistët, ndërsa theksoi se kësaj nisme i janë bashkuar fillimisht një rrjet prej 100 lokalesh në gjithë kryeqytetin.

Mjafton që dikush të tregojë librezën e pensionit dhe i gjithë rrjeti i kafeve ku është vendosur tabela “Kafe me gjyshin” do të jetë një vend ku kafja do të kushtojë 20 lek. Aty mund të konsumohet shtypi i ditës edhe sigurisht bisedat e para të ditës me secilin. Ne do të kemi një rrjet prej 100 kafenesh në të gjithë Tiranën që do të jenë pjesë e kësaj nisme

”, bëri të ditur kryebashkiaku./tvklan.al