Çështjet kryesore për të cilat po hetohet kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë 3: CEZ-DIA, deklarimi i pasurisë dhe çështja e lobimit me SHBA. E ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja e Klan News, Glidona Daci ka dhënë më shumë detaje në lidhje me hetimet për këto dosje në Prokurorinë e Posaçme.

Glidona Daci: Meta ka qenë 2 herë i thirrur në SPAK për çështjen CEZ-DIA. Ka qenë vetë dhe ka dhënë shpjegime për këtë çështje.

Blendi Fevziu: A ka dosje tjetër për Metën?

Glidona Daci: Janë 3 çështje që janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme. Nuk ka emër të regjistruar të Metës në Prokurorinë e Posaçme sepse në momentin që bëhet një kallëzim penal, automatikisht, Prokuroria e Posaçme regjistron një procedim që regjistrohet me një numër të caktuar në bazë të veprave penale që janë bërë në kallëzim.

Blendi Fevziu: Kush janë 3 çështjet?

Glidona Daci: Çështja CEZ-DIA, çështja e lobimit me SHBA dhe gjithashtu kallëzimi që ka bërë avokati Idajet Beqiri për çështjen e operacioneve jashtë vendit, çështja e deklarimit të pasurisë.

Blendi Fevziu: Ku ka shkuar SPAK me çështjen CEZ-DIA?

Glidona Daci: Janë pyetur thuajse të gjithë personat që kanë patur dijeni, përfshirë edhe Kastriot Ismailin. Ai është thirrur dhe ka qenë disa herë në ambientet e SPAK. Kjo çështje është drejt përfundimit, me të gjithë personat që kanë pasur dijeni, kanë shkuar dhe kanë dhënë shpjegime në dyert e Prokurorisë së Posaçme.

Blendi Fevziu: A është një çështje që do të shkojë shpejt për gjykim?

Glidona Daci: Do të ketë një vendimmarrje nga SPAK nëse do të ngrihen akuza mbi personat që janë kallëzuar.

Blendi Fevziu: Po çështja e deklarimit të pasurisë?

Glidona Daci: Hetimi i pasurisë përfshin Metën dhe Kryemadhin, vazhdon të hetohet. Po bëhet akt-eksperimi i celularit që është gjetur në banesë. Ky celular është pretenduar që i përket zonjës Kryemadhit, ndërkohë që ky celular është sekuestruar nga agjentët e BKH-së në banesën e mamasë së Kryemadhit.

/tvklan.al