Autoritetet bëjnë apel për të mos pasur panik

Serbia ka shënuar edhe shtatë raste të reja të koronavirusit gjatë orëve të mbrëmjes, duke e çuar numrin e të infektuarve në 31. Qeveria serbe është duke shqyrtuar mundësine e mbylljes së shkollave pas një rasti në një gjimnaz, duke e zëvëndësuar mësimin nga klasat në mësimdhënie përmes internetit.

Ekspertët serbë thonë se gjendja është nën kontroll, pasi ende dihet se nga kanë ardhur të infektuarit me këtë virus.

Eksperti Predrag Kon shprehet: “Fakti që ne e dimë ende për secilin pacient nga është infektuar dhe shumica prej tyre kanë të bëjnë me pacientë të infektuar, është ende një shpresë që gjendjen e kemi nën kontroll, pasi nuk kemi raste të reja që mund të kenë lidhje me pacientët e mëparshëm”.

Serbia ende bën apel për të mos krijuar panik. Ekspertët morën pjesë në video konferencë me ekspertët kinez. Përveç masave nëpër kufij dhe vënies në karantin të atyre që kanë udhëtuar, spitalet infektive do të merren vetëm me këtë rast.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, në një adresim kombit përmes televizionit publik, ka rritur pagat e punonjësve të shëndetësisë për 10 për qind.

“Izolimi shtëpiak do të jetë rasti më i shpeshtë i shërimit, por do të kemi dedikim të klinikave vetëm për të dhe klinika infektive në Beograd do të merret vetëm me koronavirusin”.

Vetëm gjatë natës janë testuar 29 pacientë, por të dyshuarit e tjerë kanë rezultuar negative në virusin Covid-19.

Qeveria bën dy adresime gjatë ditës, ndërsa nuk zbulojnë qytetet se prej nga vijnë pacientët në mënyrë që të mos krijohet panik.

Tv Klan