SPAK pret vendimin e zbardhur të gjykatës

Prokuroria e Posaçme është në pritje zbardhjes së argumenteve të Gjykatës së Apelit për të vendosur nëse do e kundërshtojë vendimin për ish-ministrin Saimir Tahiri, i cili të premten u dënua me 3 vite e 4 muaj burg për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe mori pafajësi për akuzat e tjera të ngritura nga SPAK, si pjesëmarrës në grup kriminal.

Televizioni Klan u interesua pranë Strukturës së Posaçme nëse ajo do i drejtohej Gjykatës së Lartë me rekurs për t’i qëndruar kërkesave të saj për dënimin e ish ministrit me 12 vite burg për pjesmarrje në grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike.

SPAK tha se gjithçka do të vendoset pasi të merret vendimi i arsyetuar nga Gjykata e Apelit, e cila në fakt, la në fuqi një vendim që më herët prokurorët e posaçëm e ankimuan në Shkallën e Dytë.

Nga ana tjetër rekurs për të goditur vendimin e fajësisë, u paralajmërua nga avokati i ish-ministrit, Maksim Haxhia, i cili shprehu besim për pafajësi në Gjykatën e Lartë.

Ish-ministri Saimir Tahiri në orët e vona të së premtes u transferua në qelinë numër 2 pranë burgut 313 në Tiranë, ku është akomoduar në një qeli të veçuar për shkak se qëndrimi aty është i përkohshëm.

Vetë Tahiri me anë të një reagimi në Facebook, pak minuta para arrestimit e konsideroi vendimin një padrejtësi.

Tv Klan