Koncesionari që merr paratë nga buxheti i shtetit për të markuar naftën bruto nuk e bën ngjyrosjen e lëndës hidrokarbure, duke bërë që në treg të qarkullojë karburant nën cilësinë e duhur.

Burime për televizionin Klan thonë se skema që përdorej nga kompania Tea Contruksion e biznesmenit Ardian Xhillari, ku në Shqipëri tregtohej naftë virgin, vijon të përdoret edhe nga kompani të tjera. Kjo ka bërë që Ministria e Financave të mendojë prishjen e kontratës me koncesionarin.

“Nuk arrin dot të ngjyrosi naftën bruto dhe ka një rekord monitorimi edhe deri në kërcënim zyrtar për prishjen e koncesionit”.

Gjatë diskutimit të faturave të konçesioneve në Komisionin e Ekonomisë, ministri Ahmetaj tha se nëse do të kthehej pas në kohë, do të ishte dakord me kontratën e vendosjes së pullave fiskale, të cilën si opozitar në ato vite e ka kundërshtuar.

“Sepse e shoh tani strukturimin se si ditë pas dite mund t’i bëhet tregut”.

Opozita akuzoi qeverinë se jep para për kontrata koncesioni në shëndetësi për trajtime që ende nuk bëhen, duke kujtuar si rast koncesionin e check up-it.

“Nuk bëhet asnjë check-up. Sa paguhet? Edhe po s’bëre asnjë kontroll vazhdon dhe i paguan”.

Vetë deputetët e mazhorancës kërkuan që qeveria të mos firmosë më kontrata me kompani të cilat janë krijuar në parajsa fiskale dhe askush nuk di pronarin e vërtetë.

Tv Klan