Administratori i Njësisë Bashkiake Nr.2 në Tiranë, Elez Gjoza nga radhët e LSI-së ka dalë në një deklaratë për mediat duke hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij nga Policia e Tiranës.

Duke folur nga selia e Lëvizjes Socilaiste për Integrim, ai tha se akuza e policisë se ka regjistruar 70 votues fiktivë në njësinë që ai drejton, është akuzë e bërë para disa vitesh dhe që rezultoi se ishte e pavërtetë.

Elez Gjoza sulmoi direkt ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se vazhdon të ketë ndikim në Policinë e Shtetit dhe ka përdorur ish-vartësit e tij për të ngritur 3 akuza që nuk qëndrojnë.

Elez Gjoza akuzoi Tahirin si ministrin që kanabizoi të gjithë Shqipërinë dhe ka kërkuar arrestimin e tij.

“Unë i them të gjithë opinionit se ky rast i përket para vitit 2013 kur Prokuroria pasi është bërë kallëzimi nga policia ka shqyrtuar çështjen dhe nuk ka parë asnjë shkelje ligjore.

Akuza e dytë që është më qesharakja, është sikur administratori i njësisë 2 shkëmben vende pune. S’është e vërtetë, kjo është qesharake, dhe unë si administrator s’kam tagrin ligjor pasi dhe sekretaren time e emëron kryetari i bashkisë. 

Dhe akuza e tretë akuzohem për marrje pjesë në fushatë elektorale. Është e vertetë dhe do vazhdoj të jem pjesë e fushatës elektorale pas orës 16:00.

Duke qenë para kamerave dua t’i bëj thirrje ish-ministrit të Brendshëm ministrit që mbolli gjithë Shqipërinë me hashash, ti lëjë presionet me administratorin e Njësisë 2, nuk më tremb dot. Ju do shkoni pas hekurave dhe jo administratori që i shërben njerëzve. Para 2 ditësh ka qenë koincidencë kur unë dhe ministri i hashashit bënim në sanatorium aktivitete të ndryshme, u terrorizua nga pjesëmarrja e LSI dhe prandaj ndodhi ky denoncim nga policia. Dua t’i bëj thirrje ministrit në detyrë, të shikojë institucionin dhe mos lejë askënd të abuzojë me këtë institucion”,

tha administratori i Njësisë nr.2 në Tiranë, Elez Gjoza.

Për akuzat e ngitura ndaj tij, administratori i Njësisë nr.2 në Tiranë ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj punonjësve të policisë që janë marrë me këtë çështje./

tvklan.al