Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi. Lajmin e ka bërë të ditur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili thotë se kjo forcon pasaportën shqiptare në botë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Hasani thotë se në Këshillin e Ministrave është miratuar ditën e sotme hapja e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata.

Kjo nismë është marrë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.

“Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë. Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë. Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja. Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme”, shkruan ministri Hasani.


/tvklan.al