Në vijim të përpjekjeve për të gjetur konsnesusin mes palëve për Reformën në Drejtësi, ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin për mëse dy orë ishin në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Mesazhi i dhënë në mbledhjen me dyer të mbyllura nga diplomatët e huaj, por dhe në prani të medias ishte i qartë,

“Të votohet Reforma në Drejtësi”.

 Ambasadori Lu, i cili prej disa muajsh është kthyer dhe në negociatorin mes palëve e ftoi opozitën të vijojë kontributin e saj në këtë proces, sikundër Partia Demokratike tha ai e ka dhënë në 25 vite pluralizëm.

Donald Lu, Ambasador i SHBA, Tiranë:

“Unë përfaqësoj një vend që për mëse 100 vjet ka luftuar për të mbajtur Shqipërinë sovrane, demokratike dhe të sigurt. Në 25 vitet e shkuar ne kemi punuar së bashku për të arritur gjëra të mëdha dhe fundin e komunizmit, fitoren e luftës në Kosovë dhe anëtarësimin në NATO. PD ka luajtur një rol vendimtar në historinë postkomuniste të Shqipërisë që kjo traditë të vazhdoj në kontekstin e Reformës në Drejtësi.”

Duket se nga takimi me dyer të mbyllura ambasadorët dolën të sqaruar për disa çështje që për ta ishin të paqarta.

Romana Vlahutin, Ambasadore e BE, Tiranë:

“Ky ka qenë një diskutim shumë i dobishëm, shumë i mirë dhe shumë konstruktiv. Mendoj se kemi sqaruar disa çështje që më parë nuk ishin të qarta. Por më e rëndësishmja është që në te gjithë kemi rënë dakord që jemi partnerë dhe aleatë për të mirën e Shqipërisë. Dhe që në ditët në vijim energjitë tona do të kalojnë në këtë gjë, që kjo reformë të përfundojë.Natyrisht edhe zbatimi i kësaj reforme do të jetë i një rëndësie të madhe në veçanti për BE. Dhe ne do të sigurohemi që do të ketë shkruar në letra të bëhet realitet për njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi.”

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha se kushti i vetëm për Partinë Demokratike  është moskapja politike e drejtësisë. Dhe për të pasur një reformë të tillë Basha u shpreh se rëndësi ka produkti dhe jo koha.

Lulzim Basha, Kryetari i PD:

“Kushti i vetëm i PD-së është moskapja politike e drejtësisë. Kemi mirëkuptimin e plotë të tejkalimit të rezistencës së pushtetit që mbron korrupsionin. Reforma nuk është letra, por zbatimi i saj përballë oligarkisë që sot i ka vënë vetes një damkë të rëndë. Ndaj dhe ka zgjatur e mund të zgjasë, pasi rëndësi ka produkti dhe jo koha. Nuk vendos për kohën PD-ja, të shikojmë se çfarë do të bëjë pala e nervozëve. Një produkt skarco nuk të bën punë, pasi ata që gjykojnë, shohin produktin dhe jo afatin”.

 “Nervoziteti është te Edi Rama, i cili i bëri presion Gjykatës Kushtetuese”

Në mbledhjen e grupit me ambasadorët Lu e Vlahutin ra në sy mungesa e ish-kryeministrit Berisha. Në një sqarim për mediat nga zyra e shtypit pranë tij bëri të ditur se :

“Mungesa në mbledhje e zotit Berisha është normale pasi ai ka takime konstante me ambasadorët për Reformën në Drejtësi dhe se ambasadorët sot janë në mbledhje për të biseduar me deputetët e tjerë‎ të PD”.

TV Klan