Vetëm 9 vjeç, por Ambla Klosi ka hapur ekspozitën e saj të parë me piktura. Një dëshirë e nisur mes saj dhe të vëllait, Ambla duket se gjeti botën plot ngjyra teksa hidhte bojërat në telajo. Një pasion që mesa duket u rrit në heshtje dhe hera-herës në komunikim me familjarët e saj. I pëlqen që të luajë me ngjyrat duke shprehur përmes kombinimit të tyre ndjesitë dhe mendimet fëminore. Botën e saj sekrete e ndan për herë të parë edhe me publikun. Në ”Jo vetëm modë”, Ambla dhe i ati, Blendi Klosi kanë rrëfyer më shumë detaje përsa i përket kësaj ekspozite.

Ambla Klosi: Unë kam dashur shumë që të pikturoj me vëllain. Na jepte mami ca telajo të vogla dhe ne pikturonim me penela. Babi dhe mami kur na shihnin ne, mendonin se njëra nga ne do të bëhej piktor, por pastaj ka vazhduar me futbollin. Unë nuk e lashë, e doja shumë. Të gjithë njerëzve që janë duke më parë dua të ju them: Ëndrrën tuaj mos e lini asnjëherë sepse po punuat fort, mund ta bëni ekspozitë ose futbollistë, ose këngëtarë, ashtu si unë që u bëra piktore në moshë të vogël vetëm se punova shumë fort.

Blendi Klosi: Për të qenë i sinqertë, unë akoma nuk e besoj se Ambla është piktore. Si çdo prind që emocionohet nga çdo gjë që fëmijët bëjnë. Realisht unë ndihem shumë i emocionuar, shumë i impresionuar, natyrisht dhe i habitur që Ambla krijoi disa punë që kanë marrë një vëmendje besoj shumë pozitive nga shumë miq, të cilët ishin sot në ekspozitë. Janë padyshim punët e një fëmije 9-vjeçar që duan të shprehin botën e ngjyrave që ajo ka brenda. E bukur për mua është çdo punë e Amblës që ajo e bën dhe ka atë botën e saj që është e vështirë të shpjegohet. Unë do të doja shumë që të vazhdojë në këtë model, të vazhdojë në artin e saj të padevijuar nga mendime të ndryshme. Sa më shumë të vazhdojë ky art i çiltër, aq më mirë. Ky është edhe suksesi që Ambla nuk ka frikë sesi do të dali puna./tvklan.al