Zyrë në Shkup, studiuesit mund të shfrytëzojnë materialet online

Nga sot salla e studimit e Arkivit të Shqipërisë do të jetë përtej kufirit, edhe në Maqedoninë e Veriut. Këndi Arkivor është hapësira e re e krijuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e që do të jetë tek Biblioteka e Çairit në Shkup. 

Pas Gjirokastrës, zyra e Shkupit është e dyta që mundëson përdorimin në distancë të materialeve të Arkivit Qendror të Shtetit, pa qenë nevoja që studiuesit të udhëtojnë drejt Tiranës.

“Ka mbi 300 milionë dokumente që ka Arkivi i Shtetit në Shqipëri, e që është e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e Rajonit”.

Sipas Bidos në tre vitet e fundit Arkivi Qendror Shtetëror ka ndryshuar të gjithë konceptin, ku tanimë studiuesit mund ta programojnë vetë dosjen e tyre duke thjeshtëzuar kështu të gjithë punën e arkivistëve.

Kjo nismë e DPA-së ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. 

Procedura e regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes email-it do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit.

Në Bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës u krijua këndi i parë arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të qenë më afër qytetarëve dhe studiuesve. Qëllimi i kësaj është që të nxitet kërkimi shkencor në Gjirokastër dhe të rrisë frekuentimin në bibliotekën e vet.

Klan Plus