Janë arrestuar tre shtetas në Gjermani për shkak se dyshohet të jenë spiunë të Kinës. Personat e arrestuar dyshohet se i kanë dhënë Pekinit informata të fshehta duke bashkëpunuar me shërbimin sekret të Kinës.

Zyrtarët gjermanë thanë këtë të hënë se tre të arrestuarit i kanë dorëzuar Kinës teknologjinë që mund të përdoret për qëllime ushtarake, duke ndihmuar në këtë mënyrë potencialisht në forcimin e marinës së Kinës. Sipas informacioneve të publikuara nga “Reuters” tre personat e identifikuar janë Herëig.F, Ina.F, dhe Thomas.R, të cilët akuzohen se kanë marrë pjesë në një projekt për grumbullimin e të dhënave, të financuar nga agjencitë shtetërore kineze, si dhe për eksportim ilegal të një laseri në Kinë.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, në një deklaratë për mediat tha se qeveria gjermane po monitoron kërcënimet që vijnë nga spiunazhi kinez, të cilat janë kërcënim për bizneset, industrinë dhe shkencën në Gjermani.

“Ne i shikojmë me shumë vëmendje këto rreziqe dhe kërcënime, kemi paralajmëruar dhe rritur ndërgjegjësimin për to në mënyrë që masat mbrojtëse të rriten kudo. Çështja e teknologjive inovative gjermane që mund të përdoren për qëllime ushtarake është e ndjeshme”, tha ajo.

Nga ana tjetër Kina i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e Gjermanisë.

Një zëdhënës i Ambasadës së Kinës përmes një email-i tha: Ne i bëjmë thirrje Gjermanisë që të heqë dorë nga akuzat për spiunazh. Gjermania kërkon të prishë imazhin politik të Kinës.

Sipas prokurorëve gjermanë që po merren me çështjen, arrestimi i tre gjermanëve u bë në bazë të informacionit të mbledhur nga Agjencia e Brendshme e Inteligjencës gjermane.

Kujtojmë se javën e kaluar, Gjermania arrestoi edhe dy shtetas ruso-gjermanë të dyshuar po për spiunazh, në favor të Rusisë. Dyshohet se ata kishin planifikuar sulme sabotazhi që synonin minimin e mbështetjes ushtarake të Gjermanisë ndaj Ukrainës në luftën e saj me Rusinë./tvklan.al