Pas tetë muajsh, policia greke ka arrestuar vrasësit e çiftit shqiptar Halitaj ngjarje e ndodhur në Athinë në shkurt 2017. Mediat greke raportojnë se janë tre të arrestuar si ekzekutorë, një 29-vjeçar shqiptar dhe dy grekë.

Hetuesit grekë thonë se 29-vjeçari shqiptar i arrestuar ka shumë precedentë penalë. Ai ka qenë i dënuar për grabitje, vjedhje, vjedhje me pasoja të rënda, armëmbajtje pa leje, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë me dije.

Ndërsa në kërkim janë shpallur dy shqiptarë 46 dhe 53 vjeç si porositës të vrasjes. Sipas policisë, të arrestuarit e kanë pranuar krimin. Ata kanë deklaruar se urdhëruesit që janë në kërkim, i kishin borxh një shumë të madhe parash viktimës shqiptar 53 vjeç. Vrasësit pranuan se u paguan në total 60 mijë Euro për të ekzekutuar gruan dhe burrin.

Krimi i rëndë ndodhi në banesën e çiftit shqiptar Halitaj në lagjen “Peristeri” në Athinë, ku burrë e grua u vranë ndërsa fëmijët e tyre (djalë e vajzë) nuk u prekën nga autorët. Policia greke thotë se ekzekutorët kishin njohje me viktimat. Ata ishin emra të njohur për autoritetet greke në fushën e kultivimit të drogës.

Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se 53-vjeçari i vrarë po bashkëpunonte në kultivimin e drogës me porositësit e vrasjes së tij dhe ekzekutorët.

Katër ditë para se të vritej, viktima kishte shkuar në komisariatin e policisë për të denoncuar aktivitetin e paligjshëm të bashkëpunëtorëve të tij, por më pas kishte ndërruar mendje dhe nuk përmendi asnjë emër konkret. Ndërkohë, porositësit e vrasjes që janë në kërkim, akuzohen për krijim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, vrasje dhe grabitje. 

/tvklan.al