Një ditë pasi Gjykata e Lartë e dënoi me 1 vit e 6 muaj burg, policia ka arrestuar bashkëshortin e gjyqtares Majlinda Andrea, Odhise Andrea. Prej 6 muajsh ai qëndronte në arrest shtëpie, masë marrë nga gjykata që në janar pas dorëzimit të tij në Policinë e Tiranës.

Odhise Andrea sipas llogaritjeve ka dhe disa muaj burg për të kryer në bazë të vendimit të së mërkurës. Sipas hetimit të Prokurorisë, ai ka qenë personi që ka marrë 50 mijë Euro nga sekseri Petraq Dashi për të ndikuar në një proces gjyqësor për çështje pronësie që shqyrtohej nga bashkëshortja e tij.

Majlinda Andrea u dënua me 4 vite burg, por që iu konvertua në shërbim prove për tre vite. Një vit e 6 muaj u dënua sekseri Petraq Dashi dhe Ilia Çabiri. Ky i fundit së bashku me Eleni Linon ishin personat që kishin paguar paratë. Për Linon Gjykata vendosi dënimin me 1 vit burg. TV KLAN