MAkina DurresRreth 70 gramë tritol janë përdorur për të hedhur në erë automjetin me të cilin po lëvizte nga Tirana në Durrës, inxhinierja e ndërtimit, Entela Çano. Pas shpërthimit, makina e 38-vjeçares që punonte në një studio projektimi, u përfshi nga flakët, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, në autostradë. Inxhinierja nuk pësoi dëmtime.

Grupi hetimor i ngarkuar për zbardhjen e ngjarjes pohon se lënda plasëse ishte instaluar në pjesën e poshtme të automjetit në krahun e pasagjerit, ndërkohë që shpërthimi i telekomanduar është bërë në një distancë të afërt. Për të zbardhur ngjarjen policia ka shoqëruar një numër të lartë dëshmitarësh, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë përgjatë autostradës Durrës-Tiranë, nëpërmjet të cilave mendohet të shihet lëvizja e ndonjë automjeti të dyshimtë.

Teksa policia ka ngritur akuzën “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, pista e vetme në të cilën prokuroria ka shtrirë hetimet është ajo e atentatit për shkak të konkurrencës mes studiove të tjera projektuese në Tiranë. Inxhinierja ka pohuar se nuk ka konflikte.

TV KLAN