Atletiko e Madridit rikthehet të fitojë edhe në kampionat. Pasi hodhi një hap drejt gjysmëfinales së Champions, “Los Colcheoneros” arritën të merrnin maksimumin ndaj surprizës Girona. 3-1 ishin shifrat përfundimtare të takimit të luajtur në Madrid, me një sfidë që nuk nisi siç duhet për ekipin e Diego Simeone.

Dovbyk kaloi në epërsi Gironën pas 4 minutash lojë, duke kapur në befasi Atletikon. Ukrainasi udhëheq garën për golashënues i kampionatit me 17 gola. Gjithsesi, reagimi ishte i shpejtë, falë edhe yjeve në repartin e sulmit. Griezmann shndërroi në gol një penallti për të vendosur ekuilibrat momental. Në fundin e pjesës së parë, Correa përfitoj nga asisti i Morata për ta dërguar Atletikon në epërsi 2-1 në dhomat e zhveshjeve.

Me rikthimin në fushë ishte sërish francezi, Griezmann ai që realizoi, për të kompletuar dopietën personale dhe ngjitur në kuotën e 13 golave këtë sezon të La Liga. Me këtë fitore, Atletico e Madridit thellon në 5 pikë distancat me ndjekësit për të konsoliduar edhe vendin e katërt. Ndërkaq, kjo ishte humbja e tretë në 5 takimet e fundit për Gironën që gjithsesi nuk rrëzikon biletën në Ligën e Kampionëve.

Klan News