Fiorentina e fitoi sfidën e parë gjysmëfinale të Ligës së Konferencës ndaj Klub Bruzh në stadiumin “Franki”. Sfida përfundoi me rezultatin 3-2, me vjollcët që festuan në shtesë. Goli i parë erdhi në minutën e 5 me Sotil, Vanake barazoi me penallti për miqtë.

Beloti i dha avantazhin, ndërsa Tiago e çoi rezultatin 2-2. Golin e fitores e shënoi Nzola. Pas takimit, trajneri i Fiorentinës Vinçenco Italiano, tha se nuk ishte plotësisht i kënaqur.

“Ka pak hidhërim për disa episode, por në fund u treguam të zotë që e fituam sfidën. Më pëlqeu sjellja e Nzola-s që nga hyrja e tij në lojë. Tani kemi një avantazh të vogël kundrejt rivalëve tanë për sfidën e kthimit, ku duhet të bëjmë më mirë. Duhet përqendrim maksimal, pasi në të kundërt do ta pësojmë, sepse Bryzh luan në shtëpi.”

Në gjysmëfinalen tjetër, Olimpiakosi mori një fitore të rëndësishme ndaj Aston Vilës me rezultatin 4-2. Për grekët u dallua Ajub el-Kaabi që shënoi trigolësh. Marokeni realizoi dy herë në të 16 dhe 29. Uatkins shkurtoi disavantazhin në fund të pjesës së parë. Diabi barazoi në të 52’. Por grekët u përgjigjën sërish me El Kaabi dhe Heze. Në fund, Luiz humbi një penallti. Humbje që e mërzit trajnerin e anglezëve, Unai Emeri.

“Jemi të frustruar dhe të zhgënjyer, nuk luajtëm siç duhet! Ata bënë një lojë të mirë dhe ne nuk bëmë ashtu siç kishim planifikuar. Ata janë favoritë dhe e merituan fitoren. Ne do të përpiqemi të rikthehemi javën tjetër, por ata janë favoritë. Ne do të luajmë në transfertë, duke u përpjekur të tregojmë diçka ndryshe në fushë.”

Për teknikun e Olimpiakosit, Hose Luis Mendijibar kjo është një fitore me mjaft rëndësi dhe e merituar, por skuadra e tij ka edhe 90 minuta për të luajtur.