Vdekja tragjike e turistes 15-vjeçare ruse në bregdetin e Ksamilit shihet me shqetësim nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, pasi ajo është dëshmi se në plazhet shqiptare nuk ka siguri, çka dëmton rëndë turizmin.

“Bëhesh objekt lajmi negative për ato që janë dhe ato që duan të vijnë, rrit pasigurinë”

, thotë Rexhep Kasmi, anëtar i ATOA.

Një tjetër problem për Shoqatën e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike është inekzistenca e policisë. Nënkryetari Rexhep Kasmi thotë se policia shfaqet vetëm pas tragjedive.

“Ndjehet lëvizje e duhur vetëm kur ndodh diçka. Të veprohet para kohe. Aksidente do ketë, por kur vjen nga  mosmarrja e masave  ky është defekt i rëndë. Sa shtohen njerëzit duhet të shtohen edhe policët, të përforcohet policia”,

shprehet Kasmi.

Si dëshmi e indiferencës së policisë përballë motorëve të ujit, barkave me motor apo skafeve që rrezikojnë pushuesit, Kasmi sjell një ndodhi personale.

“Patrulla shfaqej por s’kishte reagim. Mbase Ksamili vend i vogël , njihen me njëri-tjetrin dhe nuk ja pengojnë dot veprimtarinë njëri-tjetrit”,

shtoi ai.

Kasmi e quan kaotik lëvizjen e motorëve të ujit në plazhet shqiptare.

“Duhet tolerancë zero. Ligjet janë. Atje parkohet në mënyre kaotike”,

deklaroi Rexhep Kasmi.

Për vdekjen e turistes ruse 15-vjeçare u ndalua një person i dyshuar si përgjegjës, por për mos marrjen e masave ndaj mjeteve motorike që lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, nuk ka asnjë masë si ndaj drejtorit të policisë së Vlorës ashtu edhe ndaj shefit te komisariatit të Sarandës. TV KLAN